Villarreali ka udhëtuar drejt Italisë ku nesër në mbrëmje do të përballet me Juventusin në ndeshjen e dytë të eliminimit direkt në Ligën e Kampionëve.
Ndeshja e parë e zhvilluar në Spanjë ishte mbyllur baras me rezultat 1-1 dhe gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen kthyese.
Trajneri i Villarreal, Unai Emery, ka thënë se kanë udhëtuar në Itali për të fituar dhe për të kaluar tutje.
“Ne duam të mbetemi në garë, jo të largohemi si një pasagjer kalimtar”.
“Të jesh në 16-shen e fundit është e rëndësishme, por ne duam të qëndrojmë në këmbët tona dhe të përballemi me rivalin tonë”.
“Kemi mbërritur [në Itali] me shumë dëshirë. Por ata gjithashtu do të duan të fitojnë nga minuta e parë deri në të 90-ën. Do të jetë një ndeshje në të cilën do të ndodhin shumë gjëra dhe ne duhet të jemi të përgatitur, të përpiqemi të mbajmë kontrollin më shumë se ata”.
“Juventusi nuk kanë humbur në Serie A prej muajsh; Ky është një ekip i mësuar të jetojë nën presion dhe të fitojë dhe ata fitojnë shumë”, deklaroi Emery.