Juventusi e ka mposhtur Romën me rezultat 4-3 në Olimpico në kuadër të javës së 21-të, e që ishte një derbi spektakolar.
Pas vetëm 11 minutash lojë, Giallorossët kaluan të parët në epërsi me anë të Tammy Abraham, që u asistua prej Jordan Veretout.
Por, epërsia e vendasve zgjati vetëm shtatë minuta, shkaku që Federico Chiesa asistoi te Paulo Dybala (18’) për 1-1.
Pjesa e dytë ishte edhe më e zjarrtë, pasi u realizuan në total pesë gola.
Në minutën e 48-të, Henrikh Mkhitaryan riktheu epërsinë për Romën, duke shënuar për 2-1 nga një asistim i Lorenzo Pellegrinit.
Pellegrini (53’) më pas mori rolin e golashënuesit, duke realizuar super gol nga gjuajtja e lirë për 3-1.
Më pas ishte koha për spektaklin e Juventusit të cilin e filloi Manuel Locatelli në minutën e 70-të, me Alvaro Moratan që ishte asistuesi.
Pas vetëm katër minutash, Dejan Kulusevski i barazoi shifrat në 3-3, duke ndezur edhe më shumë ndeshjen.
Tre minuta kaluan nga goli i barazimit dhe Mattia de Sciglio e përmbysi rezultatin për 4-3.
Juventusi më pas mbeti me dhjetë lojtarë në fushë, shkaku që Matthijs de Ligt luajti me dorë në zonën e rreptësisë dhe pranoi edhe kartonin e dytë të verdhë.
Ky ishte një shans ideal për Romën që t’i barazonte shifrat, mirëpo nga pika e bardhë dështoi Pellegrini, pasi Wojciech Szczesny e priti gjuajtjen e tij në minutën e 83-të.
Pas javës së 21-të, Juventusi është në vendin e pestë me 38 pikë, ndërsa Roma në të tetin me 32 sosh