Drejtuesit e Juventusit janë takuar fillimisht me agjentin e Kalidou Koulibaly, shqiptarin Fali Ramadani, për të konfirmuar interesin e tyre, ndërsa nuk ka munguar as takimi me agjentët e Alvaro Moratas.
Kontrata aktuale e mbrojtësit senegalez do të skadojë vitin e ardhshëm.
Siç raportohet nga gazetari Romeo Agresti, Juventusi është gati t’i ofrojë Napolit 30 milionë euro për Koulibalyn dhe do të ishin të gatshëm të paguajnë një pagë rreth 6 milionë euro neto në sezon.
Po ashtu drejtori i Juventusit , Federico Cherubini është takuar me përfaqësuesit e Alvaro Moratas, Marco Busiello dhe Marco Branca në Milano këtë mbrëmje.
Sulmuesi 29-vjeçar spanjoll u kthye në Atletico Madrid në fillim të këtij muaji pas një huazimi dy-vjeçar në Torino.
Është e vështirë të imagjinohet që ai do të luajë për skuadrën e Diego Simeones dhe Juventusi dëshiron ta rikthejë atë në Itali, por jo për shifrat që ka kërkuar klubi spanjoll.
Sezonin e kaluar nën drejtimin e Massimiliano Allegrit, Morata shënoi 12 gola dhe dha nëntë asistime në 48 paraqitje në të gjitha garat.