Vedat Muriqi ka qenë vendimtar në fitoren e Mallorcas përballë Athletic Bilbaos (3-2) në Visit Mallorca Estadi.
Vendasit krijuan epërsi të dyfishtë në pjesën e parë të takimit, mirëpo mysafirët arritën t’i barazonin shifrat duke e dramatizuar ndeshjen në fraksionin e dytë.
Megjithatë, Mallorca arriti ta shënonte edhe golin me vlerën tri pikë përmes Takefusa Kubo, porse arkitekt ishte sulmues i Kosovës.
Ai pranoi një top në qendër dhe në përpjekje për t’u shmangur nga lojtarët kundërshtarë, asistoi te bashkëlojtari i tij, i cili e realizoi golin e fitores (88’).
Muriqi ishte asistues edhe në golin e dytë të Mallorcas, kur pas një rivënie anësore, vrapoi drejt qendrës duke e goditur topin me kokë dhe duke e nxjerrë Angel Rodriguezin përballë portierit dhe ai nuk e pati të vështirë vetëm t’ia ndërronte drejtimin topit drejt portës (30’).