Një nga mbrojtësit më të mirë në Serie A, Gleison Bremer, do të bëhet lojtar i ri i Juventusit, ndërsa lajmi është konfirmuar nga shumë mediume italiane sot.
Saga rreth Bremerit mori një përfundim të papritur. Lojtarin të gjithë e menduan si pjesë të Interit, por përfundimisht ai përfundoi në Juventus pasi Zonja e Vjetër iu bashkua garës disa ditë më parë.
Mbrojtësi brazilian dominoi në Serie A me fanellën e Torinos dhe prej kohësh ishte më lartë se klubi ku luante. Erdhi vera dhe nënshkrimin e tij për Interin që pritej tash e disa muaj dështoi.
Bremer kishte një marrëveshje me Interin dhe dy klubet gjetën një gjuhë të përbashkët për shumën finale.
Megjithatë, Juventusi iu bashkua garës pak ditë më parë, duke i ofruar lojtarit dhe klubit më shumë dhe braziliani zgjodhi te shkojë te Juventusi si një përforcim i madh dhe për të zëvendësuar Matthijs de Ligt, i cili u transferua te Bayern Munich.
Siç konfirmoi Fabrizio Romano me fjalët e famshme “Here we go”, është arritur një marrëveshje e plotë dhe Juventusi do t’i paguajë rivalit të qytetit 40 milionë euro, plus shtatë milionë bonuse.
Torino e pranoi ofertën pasi Interi u përpoq të ulte çmimin me disa milionë.
Bremer do të nënshkruajë një kontratë pesëvjeçare me Juventusin dhe do të fitojë pesë milionë euro në sezon.
Oferta e fundit e Interit ishte 30 milionë euro plus një lojtar i ri, por jo e mjaftueshme për Torinon.
Interesant ishte fakti se Interi dhe futbollisti kanë arritur një marrëveshje për pagën gjashtë muaj më parë.